Pjesë e “pakos së madhe” të ndihmës ekonomike që qeveria shqiptare shpërndau në fundin e vitit 2022 ishin edhe familjet e varfëra të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike. Nga të dhënat e publikuara nga vetë qeveria për këtë nismë, janë 57 300 familje në vendin tonë që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, ndihma ekonomike është mbështetja me para që u jepet familjeve në nevojë. Por ndodh që famije të varfëra të dalin nga sistemi i ofrimit të kësaj ndihme duke mos e përfituar atë nga 6 deri në 12 muaj pa e kuptuar se mund ta kenë penalizuar veten. Mos njohja e ligjit për situatat kur parashikohet shkëputja nga përfitimi i saj kanë ndikuar drejtpërdrejt në përfitimin e saj.
Menjëhërë pas vendimit zyrtar të kryerjes së veprimeve administrative përmes portal e-albania pati një numër të lartë aplikimesh nga anëtarët e minoritetet rom dhe egjiptian drejt organizatave në mbrojte të të drejtave të tyre për t’u asistuar në përdorimin e portalit, por gjithashtu edhe për t’u ankuar për shkëputjen nga skema.
“Shumë kryefamiljarë në zonën e Yzberishtit vijnë tek ne për të kërkuar ndihmë sepse nuk kanë pajisje teknologjike por edhe sepse nuk dinë të përdorin portalin. Arsyet e shkëputjes nga skema e ndihmës ekonomike janë disa, por shumë prej tyre duhet të bënin veprime dhe në portal. Ne i kemi ndihmuar për aplikime të reja, por ka patur raste që nuk mund të përfitojnë sepse mund të jenë gjobitur sipas ligjit dhe për 6 muaj nuk e përfitojnë dot”, tregon Fatmir Zyberi aktivist në Qëndrën për Advokim Social.
Ai tregon se anëtarë të minoriteteve të cilët drejtohen në Qëndrën për Advokim Social janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike për shkak të refuzimit të vendeve të punës për anëtarë të cilët janë në moshë aktive për punë, ose nuk kanë pranuar të përfshihen në kurset profesionale të sugjeruar nga shërbimi social. Gjithashtu ka raste të tjera kur nuk kanë aplikuar brenda afatit të përcaktuar çdo muaj.
Një arsye tjetër e shkëputjes nga skema e ndihmës ekonomike është modeklarimi i të ardhurave kur një anëtar i familjes është punësuar ose ka bërë deklarim të rremë.
“Teksa ndoqa një kurs profesional me mbështetjen e një organizate në Tiranë, e cila me kishte deklaruar vetëm siguracionet sipas ligjit, unë rezultova e punësuar dhe familjes time iu shkëput ndihma ekonomike me arsyen se kishin bërë deklarim të rremë. U gjobitën për 6 muaj dhe u rifutën sërish në skemë pas aplikimit të ri”, tregon Viola Pera studente në Tiranë.
Juristja Gjyljana Bakalli pranë Drejtësi Sociale, tregon se për anëtarët romë dhe egjiptianë që janë drejtuar pranë kësaj qendre, arsyet kanë qënë të ndryshme, por një nga rastet që haset më shumë vështirësi për rilidhjen e ndihmës ekonomike janë azilkërkuesit e rikthyer të cilët nuk mund të përfitojnë për 12 muaj.
“Disa faktorë që ju shkëputet ndihma ekonomike janë edhe zotërimi i televizorit apo e pajisjeve elektroshtëpiake që konsiderohen “ të shtrenjta” apo rastet kur janë familje me shumë anëtarëqë janë në moshë dhe mund të punojnë. Sic ka patur edhe arsye të paligjshme si prindër që marrin pension dhe fëmijët s’mund të marrin ndihmën ekonomike; apo kur zonjat i kanë bashkëshortët jashtë shtetit dhe nuk paraqiten në afatin kohor 3 mujor për të firmosur. Vështirësi kanë hasur personat e kthyer nga azili duke qënë se mosfirmosja i penalizon për 1 vit nga përfitimi i ndihmës ekonomike”, shprehet ajo për CRA.
Ligji nr. 57\2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, në nenin nr 15 përcakton rastet kur një familje përjashtohet nga përfitimi i ndihmës ekonomike, prandaj nëse jeni aplikues dhe përfitues i saj kini parasysh situatat e mëposhtme:
- Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë gjashtëmujore familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm, që plotëson kushtet e mëposhtme:
- a) kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
- b) nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi;
- c) refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;
ç) fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;
- d) nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi, dhe të anëtarëve të familjes, të cilët janë persona me aftësi të kufizuar, invalidë pune ose të moshuar, të cilët janë në pamundësi lëvizjeje;
- dh) refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
- e) kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/përdorim dhe banojnë në fshat;
ë) anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.
- Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë njëvjeçare familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
- a) është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
- b) punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;
- c) ka kryer më shumë se një deklarim të rremë;
ç) ato familje, të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte të mira social-ekonomike.