Protesta dhe përplasje parazgjedhore, kaosi politik le në hije çështjet sociale

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Pas tërmetit të 2019-ës dhe pandemisë së Covid, në 2022-in, politika dhe ngjarjet e prodhuara prej saj dominuan aktualitetin dhe ishin temë kryesore në mediet shqiptare. Me një fokus më të veçantë te situata në kampin opozitar që më shumë se sa të ishte në qendër të vëmendjes për  aksionet anti-qeveritare, partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike e thithi debatin në përplasjen e saj të brendshme.

Edhe fillimi i 2023-it u duk të ishte vijim i vitit paraardhës, por me dy çështje që prej gati 5 javësh janë kryefjalë e medieve, por edhe gjithë opinionit publik në tërësi. “McGonigal” dhe “Zgjedhjet e 14 majit”, këto janë fjalët më të përdorura në mediet shqiptare gjatë këtyre dy muajve, si ato tradicionale, por edhe në mediet sociale.

Në fund të muajit janar, ku dalëngadalë partitë politike po ndiznin motorët për fushatën lokale, nga SHBA u shpërnda një lajm sensacional. “Në dosjen e një ish-agjenti të FBI që akuzohej për tradhti kombëtare në SHBA se kishte bashkëpunuar me oligarkë rus, përmendej 14 herë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”

Kaq mjaftoi për të ndezur debatin dhe për ta përqendruar debatin në këtë çështje. 2 protesta kombëtare dhe 3 tubime përballë Parlamentit organizoi opozita pikërisht për çështjen “McGonial” dhe për të kërkuar nga kryeministri mbajtjen e përgjegjësive. Ky i fundit për disa seanca rresht nuk denjoi që të shkonte në sallën e Parlamentit, aty ku disa seanca më shumë ngjasonin me arena cirku se sa më një sallë ku diskutohej dhe vendosej për ligje që impaktojnë jetën e qytetarëve. Në dukje, një kartë e fortë morale në duart e opozitë, çështja McGonigal nuk arriti të prodhonte asgjë tjetër veçse retorikës politike. Në pikën e fundit të saj, kur debate po shkonte drejt ezaurimit, kryeministri Rama shkoi në sallën plenare, mbajti një monolog 40-minutësh, ironizoi me opozitën dhe u largua. Pas kësaj, çdo përmendje dhe akuzë që opozita bëri për temën “McGonigal” nuk kishte ndikimin e mëparshëm.

Paralelisht me këtë debat, brenda opozitës ziente debate tashmë 18 mujor për lidershipin zyrtar të Partisë Demokratike. Dy grupimet në partinë më të madhe të opozitës ishin përballur me njëra tjetrën në vjeshtën e 2022-it për një nga përballjet gjyqësore ku kanë paditur njëra tjetrën, por ajo e datës 3 mars ishte vendimtarja. Rëndësinë e mori për disa arsye. Fillimisht për shkak se ishte çështja që në mënyrë definitive mund të përcaktonte se kush do të ishte zotëruesi i Partisë Demokratike zyrtare, por edhe për shkak të kontektit kohor në raport me zgjedhjet lokale të 14 majit. Nga 3 marsi e deri më sot në 6 mars, kishte vetëm 3 ditë kohë çka do të thoshte që ishin vetëm 3 ditë deri në regjistrimin e partive politike për këtë përballje zgjedhore.

Me vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit, disa orë pasi kishte mbaruar protesta e vakët e opozitës, për ta rikthyer çështjen për rigjykim në shkallën e parë të Gjykatës së Tiranës, në mënyrë përfundimtare, asgjë nuk u zgjidh, por për grupimin e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës ishte fitorja që duhej. Tashmë me këtë vendim në duar, Alibeaj dhe Basha mund të regjistrojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale. Për Berishën dhe kandidatët e tij të zgjedhur me primare nga anëtarësia tashmë opsionet për t’u futur në zgjedhje, janë dy, ose me koalicion ose si kandidatë të pavarur.

Më afrimin e datës së zgjedhjeve, diskutimi politik pritet të përqendrohet akoma dhe me shumë te përballja e 14 majit. Edhe pse në kushte normale debati për këto zgjedhje do duhej të përqendrohej te planet e zhvillimit lokal të 61 bashkive të vendit, shumë të pakta janë gjasat që gjatë këtyre 2 muajve fushatë të kemi përballje të kandidatëve me platforma për zhvillimin e qyteteve, më shumë se sa retorikë politike.

Kjo klimë politike e tensionuar me fokusin e veçantë te çështjet që nuk prekin përditshmërinë e qytetarëve, ndikon edhe në lënien në hije të temave me karakter social. Tema si strehimi dhe problematikat që përballen disa komunitete në zona të ndryshme të vendit, rritja e çmimeve, largimi masiv i fuqisë punëtore, trafiku dhe ndotja urbane në qytetet kryesore të vendit apo edhe rritja e diskriminmit apo gjuhës së urrejtjes në ambientet publike janë tema që kalojnë përciptazi dhe debate publik nuk përqendrohet.

Gjatë këtyre dy muajve që në mediet kryesore të vendit, tema kryesore ka qenë ose përplasja brenda opozitës ose çështje e ish-agjentit të FBI, Charls McGonigal, tema si: ngritja e një sistemi në spitale ku ata që paguajnë marrin më shumë shërbime, vrasja misterioze e 22-vjeçares keniane Joy Aoko, apo aksidenti i urbanit që për pak mund të kishte shkaktuar tragjedi në mes të Tiranës, maksimalisht janë trajtuar në një ose 2 ditë dhe më pas kanë dalje jashtë vëmendjes së opinionit publik.

 

Më të lexuarat