Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit morën certfifikimin final nga OSBE\ODIHR, që publikoi raportin përfundimtar. Ndër të tjera, ky raport trajton edhe pjesëmarrjen dhe të drejtat e pakicave kombëtare, për të cilat edhe Community Reporters Albania ka kryer vëzhgimin gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit.
Raporti i OSBE\ODIHR thotë se tek romët dhe egjiptianët është krijuar përceptimi se politikanët kanë prirje t’u marrin vetëm votat dhe nuk kanë interes për situatën e tyre. Ky perceptim, sipas raportit përbën edhe një ndër shkaqet përse romët dhe egjiptianët kanë qënë të prirur të mos përfshihen në procesin zgjedhor. Në prill, pas përfundimit të procesit zgjedhor edhe CRA publikoi raportin e vëzhgimit të procesit zgjedhor; në të cilën konstatohen të njëjta problematika si ato që përmenden edhe në raportin e OSBE\ODIHR.
Në raport thuhet se Romët dhe Egjiptianët u përfshinë në procesin zgjedhor, por përfaqësues apo koordinatorë të partive politike janë ofruar të blejnë votat e tyre. Nga vëzhgimi i kryer në qëndrat e votimit nga CRA u vu re se anëtarë të këtyre minoriteteve shoqëroheshin pranë qëndrave të votimit nga individë të panjohur përkrahës të partive të ndryshme politike, të cilët orientonin votën e tyre. Ata mbanin lista emërore nëpër duar dhe i drejtonin pranë qëndrës së votimit. Gjithashtu është vënë re se anëtarë të minoriteteve e kishin të vështirë të kuptonin fletën e votimit për shkak të nivelit të ulët arsimor ose anafalbetizmit. Mungesa e mjeteve të identifikimit për shkak të dëmtimit apo humbjes ka penguar pjesëmarrjen e më shumë anëtarëve të komunitetit romë dhe egjiptian në këtë proces zgjedhor.
Disa përfaqësues të OSBE\ODIHR kanë vënë në dukje se tentativat për blerje votash mund të mbeten ende problem në komunitetet e varfra nga ana ekonomike dhe sociale, duke përfshirë edhe zonat me popullsi të lartë të pakicës rome. Nga vëzhgimi i kryer në terren përgjatë fushatës elektorale, raportuesit lokalë të CRA konstatuan ofrimin e pakove ushqimore dhe parave në komunitetet rome e egjiptiane nga militantë të partive politike.
Megjithatë përveç aspekteve negative, pozitivisht përmenden në raport përfshirja e anëtarëve nga këto dy minoritete si kandidatë në parti të ndryshme politike si edhe angazhimi i KQZ-së e organizatave të shoqërisë civile në fushatën informuese dhe ndërgjegjësuese mbi pjesëmarrjen e anëtarëve të minoriteteve në procesin e votimit.
Rekomandimet e dhëna në raport nga ekspetët e OSBE\ODIHR janë garantimi i të drejtës për të votuar të lirë dhe në mënyrë të fshehtë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Në mënyrë specifike për pakicat kombëtare disa nga rekomandimet janë:
- KQZ-ja dhe palët e tjera të interesuara duhet të vazhdojnë programet e edukimit personal të zgjedhësve të përshtatura me nevojat e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane.
- Përpjekje shtesë mund të bëhen nga autoritetet për të lehtësuar aplikimin ose rinovimin e kartave të identitetit të votuesëve në nevojë.