Braktisja e të pastrehëve rom dhe egjiptian të Tiranës dhe ecejaket në institucionet shtetërore

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Në Tiranë, mbi 40 familje rome dhe egjiptiane të vendosura në Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencave përballen me sfida të përditshme. Qendra e hapur në 2015, nuk ka pati ndonjë investim apo mirëmbajtje pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 2019-s, ndwrsa familjet kanë mbetur të përjashtuara nga ndihma e shtetit. Të rinjtë si Luli tregojnë se braktisja dhe varfëria e bëjnë jetesën të papërballueshme. Institucionet përgjegjëse justifikohen se ndihma për të strehuarit në këtë qendër ishte parashikuar për disa muaj, por këto familje vazhdojnë të qëndrojnë aty prej vitesh. Një plan i qeverisë për “Integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane” 2021-2025 parashikon përmirësim në fushën e strehimit dhe mbështetje për këtë komunitet, por deri tani nuk ka pasur zgjidhje konkrete.

“Erdha në Tiranë pasi nuk kisha ku të qëndroja, për një kohë kam jetuar tek disa miqtë e mijë në  Tiranë, më pas u bashkova sërish me mamin dhe njerkun pasi isha në rrugë, ata jetojnë në Tufinë, në një lagje ku jetojnë rreth 40 e ca familje”.

Kështu e nis rrefimin e tij Luli 25 vjeç, i cili prej 3 vitesh jeton në Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencave (QKTE) në Tiranë, të pozicionuar në stacionin e fundit të autobusit të Tufinës. Përditshmëria e tij nis me mëngjesin, ha mëngjesin dhe gjithë ditën qëndron në një dhomë ku ngrohet me një rezistencë dhe pret për të marrë turnin e natës. Luli punon natën për pastrimin dhe transportin  e mbetjeve në Tiranë.

Kur isha 9 vjeç shkova  në Vlorë dhe u regjistrova në jetimore pasi prindërit më braktistën. Aty kalova pothuaj deri kur bëra 18 vjeç, mbarova klasën e nëntë  dhe ata më ndihmuan të merrja dhe një zanat, stukime makinash për t’i lyer, por unë ndenja shumë pak aty dhe nuk e përfundova kursin. Kur mbusha 18 vjeç, më thanë se duhet të iki nga këtu dhe nuk më mbajnë më, dhe ashtu bëra dola nga institucioni rezidencial “jetimore”. – tregon për CRA, Luli .

25 vjeçari flet për vështirësitë përmes të cilave do duhej të kalonte për shkak të problemeve ekonomike.

Kur erdha këtu, qëndrova tek dhoma që kishte mami, por çdo ditë ishte e vështirë pasi  debatoja me njerëzit në shtëpi për arsye nga më të ndryshme. Dhoma ku unë qëndroja ishte e ftohtë dhe nuk kishte kushte. Për të berë dush, ngrohja ujin dhe u laja në dhomë pasi tualetet janë jashtë,  të përbashkëta dhe janë dëmtuar, nuk ka as dushe, as ujë të ngrohtë” tregoi Luli për CRA-në.

Në kushte të ngjashme me Lulin jetojnë edhe anëtarët e më shumë së 40 familjeve të vendosura në QKTE prej disa vitesh. Ky institucion u krijua në vitin 2015 me qëllimin që në “situatat e emergjencës kur familjet nuk janë në gjendje të sigurojnë jetesën e tyre dhe të jenë të pavarura, në situata kur familjet (dhe personat më të cenueshëm dhe të vetmuar, si të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuara) mund të kenë nevojë për ndihmë apo mbështetje emergjence. Ato familje, që kanë veçanërisht nevojë për mbështetje urgjente dhe strehim, janë ato që mbeten të pastrehë dhe detyrohen të jetojnë në rrugë.

Në rregulloren e saj QKTE merr përsipër trajtimin e familjeve që mbeten të pastrehë si pasojë e zhvillimit të projekteve infrastrukturore, fatkeqësive natyrore etj. Sipas ligjit  ajo duhet të sigurojë shërbime të specializuara ligjore për t’iu mundësuar përfituesve aksesin te shërbimet e tjera publike, siguron ofrimin e një game të gjerë shërbimesh sociale integruese për t’i drejtuar përfituesit në përgatitjen e jetës së pavarur, siguron përfshirjen e përfituesve në marrjen e shërbimeve bazë (shëndetësore, arsimore, transport publik etj si dhe mundëson mbështetjen e përfituesve që të jenë të pavarur ekonomikisht dhe të sigurojnë një akomodim alternativ.

Community Reporters Albania i dërgoi një kërkesë për informacion Shërbimit Social Shtetëror për të marrë më shumë informacion lidhur me procedurat dhe kushtet që ka QKTE dhe familjet që jetojnë aty. Përgjigja e tyre ishte:

“Qëllimi i kësaj qendre është t’ju vijë në ndihmë individëve dhe familjeve në situatë emergjence për shkak të fatkeqësive natyrore apo kushte të rënda social – ekonomike, dhe  që vijnë nga grupe të ndryshme shoqërore pa dallim gjinie, seksi, race, gjuhe, feje etj.

Kohëqëndrimi i këtyre familjeve sipas standardit nr.3.6 është 3-6 muaj deri në  një vit për raste specifike. Por ndryshe nga koha e përcaktuar në standardet e miratuara, qëndrimi i familjeve ka shkuar deri në disa vite”.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror aty jetojnë 33 familje Rome/Egjiptiane në total (prej tyre 18 familje të komunitetit Rom dhe 15 familje të komunitetit  Egjiptian).

Që nga viti 2015, kur është hapur qëndra e QKTE-së ka pritur familje Rome dhe Egjiptiane nga zona të ndryshme si Shkoza, Selita, Tufina etj, por kushtet e banimet aty nuk kanë ndryshuar që kur është hapur. Vetë Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) konfirmon në përgjigjen për CRA:

“Nuk është bërë asnjë ndërhyrje në godinat e banimit edhe pse ato kanë patur dëmtime si nga tërmeti ashtu edhe nga lagështira. Investimi i tyre ka qënë që në fillim kur janë hapur si shërbim i ri, dhe nuk ka patur investim të ri. Vihet re amortizimi i tyre dhe mungesë e mirëmëbajtjes nga banorët.

A ka integrim pas qëndrës së emergjencave?

Luli, 25 vjeçari që rrëfeu historinë e tij për CRA-në pranon së është shumë e vështirë për të jetuar dhe për t’u integruar. Edhe pse është falenderues ai kërkon një mundësi tjetër për të jetuar më mirë dhe kërkon të gjejë banesë me qira pasi në ato kushte jetesa është shumë e vështirë.

Sipas ligjit, familjet që gjenden në vështirësi për strehim do duhet të qëndrojnë maksimumi deri në 1 vit aty dhe të marrin shërbime të ndryshme publike dhe ligjore që më pas të referohet nga institucioni për alternativa të tjera strehimi si: Subvencioni i qirasë, Banesa Sociale, por sistemi i referimit nuk ka ndodhur dhe si pasojë familjet kanë gjetur si zgjidhje që të qëndrojnë aty me vite pa pasur një mundësi konkrete për t’u integruar. Sipas SHSSH, banorët hezitojnë të largohen nga qendra pasi shumica e tyre nuk kanë një punë stabël si dhe  kanë vështirësi për të gjetur banesë me kontratë afatgjatë.

CRA pyeti avokatin Gentian Sejrani nëse SHSSH ka shkelur rregulloren dhe se si familjet mund të integrohen përmes sistemit të referimit Institucion-bashki. Ndërkohë ligji thotë qartë që Institucioni i QKTE duhet të informojë punonjësin Social të bashkisë Tiranë për referimet për alternativë strehimi, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Gentian Sejrani-Avokat/Jurist

“Nga ana e Shërbimit Social Shtetëror është shkelur ligji dhe rregullorja përsa i përket mostrajtimit të këtyre familjeve me programet e strehimit social si dhe programet e nxitjes së punësimit dhe si pasojë kemi shkelje të afatit të përcaktuar në ligj për kohëzgjatjen maksimale 1 vit të qëndrimit në QKTE”, tha për CRA.al avokati Serjani.

A janë referuar familjet për të marrë një alternativë të re strehimi? Juristi Serjani shprehet se është detyrim ligjor i personave përgjegjegjës që janë caktuar për menaxhimin e këtyre qendrave.  “Gjithashtu, nëse janë kryer veprime konkrete nga këto struktura dhe arsyet e mospërfitimit të familjeve apo individëve janë për shkaqe që nuk varen nga ata, duhet të dalin me raport dhe të tregojnë se ka nevojë për ndryshime ligjore, shtoi ai.

Pamje nga google maps e godinës së QKTE, Tufinë Tiranë

Ngjitur me këtë godinë, jetojnë 10 familje Rome në rulota dhe në barake, prej vitit 2016 dhe prej asaj kohe ata qëndrojnë në rulota të dhuruara nga Eco Volis.

Rulotë e përshatur si banesë brenda territorit të QKTE, Tufinë

Ndryshe nga QKTE, ku familjet janë të regjistruara dhe pjesë e sistemit, familjet që jetojnë në rulota dhe baraka nuk janë pjesë e strukturës dhe nuk marrin ndonjë shërbim publik.

Për avokatin Sejrani, integrimi në këtë mënyrë nuk mund të arrihet, “Në këtë mënyrë nuk bëjmë asgjë tjetër vecse i mbajmë familjet brenda qerthullit të varfërisë, si dhe nxisim krijimin e getove, përfundoi Sejrani për CRA.

Vera Shaku i përket një familjeje e cila ka kaluar në kalvarin e vështirësive si e pastrehë. Historia e saj nisi në vitin 2011 kur ajo jetojnte në Selitë, buzë lumit Lanës. Ajo dhe familja e saj u nxorrën nga baraket në atë kohë nga Bashkia Tiranë dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe u zhvendos në zonën e Stacionit të Trenit deri në vitin 2014 në barake. Pasi barakja u përfshi nga flakët, institucionet e dërguan Verën në Qëndrën Kombëtare Transitore të Emergjencave në Tufinë. Pas qëndrimit aty, mes vështirësive dhe vuajtjeve, ajo arriti të aplikonte për Banesë Sociale të cilën e përfitoi në vitin 2018 dhe prej atëhere jeton me familjen e saj.

A do të ketë zgjidhje për familjet që jetojnë në qendrën e Emergjencës në Tufinë?

Burimet i treguan CRA-së se godina e QKTE-së do të shembet, por ende nuk kanë informacion se kur do të ndodhë dhe ku do të zhvendosen familjet që jetojnë aty. Qeveria ka miratuar planin e ri për “Integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane” 2021-2025, ku parashikohen projekte të cilat përmirësojnë jetën e familjeve Rome dhe Egjiptiane, në fushën e Strehimit. Ministria e Financave merr përsipër Integrimin e familjeve rome dhe egjiptiane nëpërmjet projekteve pilot për urbanizimin dhe integrimin e zonave informale me popullsi të konsiderueshme rome dhe egjiptiane. Sipas këtij dokumenti do të përfitojnë 500 familje rome dhe egjiptiane nga programi i zhvillimit të zonës me qëllim strehimin, por ende deri më sot në qytetin e Tiranës nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për zhvillimin e projekteve për urbanizimin dhe integrimin.

Shënim:Emri i autorit është ndryshuar përshkak të privatësisë

Më të lexuarat