Home Diskriminim Berat, të diskriminuar edhe në investime, 200 familje rome në lagjen Stan nuk kanë rrugë as për në varrëza

Berat, të diskriminuar edhe në investime, 200 familje rome në lagjen Stan nuk kanë rrugë as për në varrëza

0
Berat, të diskriminuar edhe në investime, 200 familje rome në lagjen Stan nuk kanë rrugë as për në varrëza
Rruga e "Varrezave"

Minoriteti rom prej 200 familjesh në lagjen Stan të fshatit Moravë prej vitesh jeton me mungesa të theksuara në infrastrukturë. Plani Vendor i Veprimit për pakicat Rome dhe Egjiptiane, miruatuar edhe nga Bashkia Berat parashikonte që në periudhën 2022-2025 të përmirësoheshin shërbimet ndaj këtij komuniteti. Banorët dëshmojnë për diskriminim në investime, teksa tregojnë se vetëm 2 kilomtra më tutje, në lagjen Qendër janë bërë punime për rrugë dhe ndriçim. Verifikimi në lagjen Stan tregoi se nuk ka asnjë shenjë punimesh, por çuditërisht Bashkia Berat flet për shtrim me asfalt dhe ndërhyrje në këtë zonë.

“Kanë ardhur shumë herë, na kanë premtuar si për ndriçimin edhe për shtrimin e rrugës këtu por nuk është bërë asnjë gjë. Shkojmë atje ngremë zërin na përcjellin e na thonë që do të vijmë e do ta mbarojmë këtë e asgjë nuk bëjnë. Vajtëm edhe me Besmirin për punën e ndriçimit edhe na kanë thënë që nesër do vijmë e do vendosi,m dritat por kanë kaluar shumë ditë dhe këtu nuk erdhi askush”, kështu shprehet për CRA-në Laureta Myrteli banore e lagjes Stan prej shumë vitesh.

Dy vite më parë Bashkia Berat premtoi rregullimin e rrugëve me asfaltim, ndriçim dhe ujë të pijshëm për banorët e minoritetit Rom dhe Egjiptian.

Më 23 Maj 2022, Bashkia Berat publikoi në ëebsite-in zyrtar të bashkisë “Planin Vendor të Veprimit për Integrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane si dhe të Kthyerve nga Emigrimi dhe Azili (2022-2025)” në të cilin shpalosen planet, projektet e bashkisë për të rritur apo përmirësuar shërbimet ndaj këtij komuniteti.

Kanë kaluar dy vite që kur është miratuar plani dhe ende banorët e Moravës në lagjen Stan nuk kanë përfituar nga planifikimet e shkruara në projektin e bashkisë Berat.

“Ne kemi shumë ankesa, por më e rëndësishmja është shtrimi i rrugës këtu. Ne para një viti na ka vdekur një djalë edhe nuk kishim si të kalonim këtu, u detyruam të merrnim karrocat, t’i mbushnim me granil nga shtëpia jonë që mbushëm gropat këtu që kaluam e çuam atë djalin ne banesën e fundit edhe ky është shqetësimi jonë”, shprehet Laureta, një nga banorët e fshatit Moravë për CRA.

Nevrije Myrteli tregon për CRA-në: “Unë për vete për një vit mbush 80 vjeçe, kështu e kam parë këtë vend, ja kështu siç e shikon. U martova këtu edhe kur erdha këtu kështu e gjeta edhe deri më sot që jam në këtë moshë. Nuk e di pse nuk e bëjnë, nuk e di, se jemi ne rom nuk e di se me kë e kanë ata. Nuk kalon dot kur bie shi, edhe çesma në varreza nuk ka, se vijnë njerzit e nxjerrin kova me ujë aty. Pse të nxjerr unë kovat, nuk e kam për detyrë , çesma duhen të jetë aty te varrezat të lajnë duart njerzit

Bashkia Berat me mbështjen e UNDP Albania hartoi një plan lokal për integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane. Ndër pikat kryesore që planifikoheshin, ishin investimet dhe fshati për fshatin Moravë, ku banojnë rreth 200 familje Rome.

Në planin lokal të Bashkisë Berat për Romët, është premtuar se do të “Rehabilitohet sistemi i kanalizimeve në zonat me popullsi Rome dhe Egjiptiane” me fond rreth 3,752,019.00 lekë. Në pikën 1.6 të këtij plani parashikohet investim për rregullimin e rrugëve të brendshme dhe ndriçimin në rrugët e lagjeve Stan Moravë, Ish-pjeshkore dhe Uznovë, por për këtë investim, bashkia nuk ka përcaktuar fond.

Në vitin 2018, Bashkia Berat përmes një tenderi i dha kompanisë “SHENDELLI SHPK “ projektin për  “Rikonstruksioni i rrugëve të brendshme dhe kanalizimeve të ujrave të zeza për fshatin Moravë me fond limit në vlerën e 4 181 667,00 lekë ose rreth 42 mijë euro. Kompania e ka fituar tenderin në shumën e 10 624 685,00 lekë ose 108 mijë euro, pa asnjë shpjegim tjetër përse shuma është mbidyfishuar në krahasim me vlerën fillestare të fondit limit.

CRA pyeti ekspertin e çështjeve vendore z.Agron Haxhimali përse ndodh që fondi të dyfishohet, Z.Haxhimali tha se Dyfishimi i vlerës së tenderëve në qeverisjen vendore është një problem i njohur në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe mund të lidhet me disa faktorë që shkojnë nga mungesa e transparencës deri te keqmenaxhimi ose korrupsioni, në disa raste, vlera e tenderit mund të dyfishohet për shkak të parashikimeve të pasakta në fazën e planifikimit. Mungesa e ekspertizës për të vlerësuar kostot reale të një projekti mund të çojë në rishikime të buxhetit gjatë zbatimit” tha për CRA z.Haxhimali.

Po ashtu ai shtoi se kto problematika nisin edhe nga mungesa e transparencës dhe raportimi i dobët i shpenzimit të bashkive, “nga ana tjetër, disa kontraktorë mund të përfitojnë nga klauzolat për shtesa punimesh, duke paraqitur faturime shtesë për “puna të paparashikuara”.Në disa raste tjera dyfishimi i vlerës mund të jetë një mënyrë për të krijuar fonde fiktive që shpesh përdoren për favorizime politike ose përfitime personale” përfundoi për CRA z.Haxhimali.

Por ky investim, sipas verifikimeve që CRA zhvilloi në terren, rezulton të mos jetë bërë në lagjen “Lagjen Stan” ku jetojnë familjet rome, por në lagjen “Qendër” të Beratit, ku nuk jetojnë pakica të këtij komuniteti, por edhe gjatë kërkimeve të tjera nuk rezulton të ketë tendera të tjerë për zhvillimin e infrastukturës apo shërbimeve të tjera në zonën e Moravës ku jetojnë Romët.

 

 

 

 

 

Në një artikull të publikuar në vitin 2018 nga gazeta Telegraf, kryetari i bashkisë në atë kohë z.Petrit Sinaj tha: “Në bazë të kërkesës së kryeplakut dhe të administratorit të njësisë do të bëhet e mundur që të shtohen edhe 100 m rrugë deri te varrezat e fshatit. Do të plotësojmë edhe kërkesa të tjera të këtij komuniteti për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.Do ta bëjmë Moravën një fshat model nga pikëpamja infrastrukturore”. Por sipas vëzhgimit në terren dhe verifikimeve të bëra nga CRA asgjë nuk ka ndryshuar në terren që nga momenti kur është bërë nga deklaratë, duke e diskriminuar lagjen ku jetojnë Romët në të cilën nuk ka asnjë investim.

Cra.al ka bërë një analizë krahasimore edhe përmes pamjeve satelitore që mundëson aplikacioni Google Earth në të dy lagjet e fshatit Moravë, në lagjen “Qendër” dhe lagjen “Stan”. Në bazë të këtij vëzhgimi rezulton se pas vitit 2016 në lagjen “Qendër” kanë filluar punimet për infrastrukturën rrugore, rrjetin e ri të kanalizimeve, vendosjen e ndriçimit publik, ndërsa në lagjen “Stan” ku jetojnë 200 familje rome nuk ka asnjë investim.

Lagja Stan 2016
Lagja qender 2016

 

 

 

 

Banorët treguan se kanë ardhur përfaqësues nga Bashkia Berat dhe i kanë premtuar që do të shtrohet rruga e “varrezave”, do të vendoset ndriçimi publik dhe rrrjeti i ri i kanalizimeve. Por deri në publikimin e këtij shkrimi  asnjë investim në terren nuk është bërë, edhe pse këto “investime” janëtë programuara në Planin Lokal për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve. Rruga e varrezave me rrugën kryesore është vetëm 164 metra e gjatëe cila për banorët mbetet një nga ankesat më tëpërdorur dhe me një rëndësi jetike.

Rruga e “Varrezave”

 

 

 

 

 

 

Përpjekja e banorëve

Laureta së bashku me banorët e lagjes “Stan” i kanë drejtuar një letër ankese në muajin Qershor 2024 Avokatit të Popullit për mungesën e ndriçimit publik në lagjen e tyre dhe elementëve më bazik të infrastrukturës urbane.

Letra nga Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit, në përgjigjen kthyer banorëve tregon se nuk ka asnjë përgjigje nga bashkia, pavarësisht kërkesës dhe rekomandimeve lidhur me mungesën e investimeve në lagjen Stan. “Nga ana e Bashkisë Berat nuk kemi pasur një përgjigje e cila të ketë adresuar rekomandimin e sipërcituar, ndaj i jemi drejtuar sërish për informacion të përditësuar lidhur me masat institucionale të marra apo të planifikuara për zbatimin e këtij rekomandimi” thuhet ndër të tjera në përgjigjen e e Avokatit të Popullit.

 

 

Esma Myrteli

Nipi im humbi jetën përpara një viti në Greqi dhe e sollën në fshatin tonë për në banesën e fundit. Unë jam 76 vjeçe dhe dua të shkoj tek nipi ta qaj aty pranë varrit por nuk eci dot, rruga është shumë e vështirë, e prishur dhe gjatë dimrit mbushet me ujë, me baltë. Pres kur të më çojnë nipat e tjerë 1 herë në 6 muaj. Aman të na rregullojnë këtë rrugën, nuk dua gjë tjetër– tregoi për CRA-në zonja Esma Myrteli.

Investimi i munguar, veç rrugës që të çon te varrezat janë edhe kanalet kulluese të bllokuara dhe mungesa e ndriçimit, çka e bërë rrugën më të rrezikshme duke rritur shanset për aksidente rrugore.

Lagja “Stan”
Lagja “Qender”

 

 

 

 

 

Besmir Dalipi

Aktivisti Besmir Dalipi konfirmon për CRA-në problematikat kryesore të banorëve.“Gjatë identifikimit në terren kemi kontaktuar me shumë banorë të kësaj lagjeje, ku problematikat më kryesore në këtë lagje janë legalizimet e banesave, sepse banorët kanë ardhur rreth vitit 1950 dhe gjatë vitit 2003, 2004 ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, dhe nuk kanë mundur t’i legalizojnë  sepse nuk kanë pasur informacion ose nuk kanë ditur se ku të drejtohen për ndonjë dokument që të legalizojnë banesat e tyre. Po ashtu lagja Stan ndodhet në errësirë, problemi i varrezave që rreth 100 metra rrugë për pushtetin vendor nuk është asgjë, Banorët shprehen se rast se u vdes dikush është e vështirë të kalosh në rrugë, sepse duhet të veshin çizme dhe banorët e kanë shumë të vështirë.”theksoi Dalipi.

Përpos legalizimeve të banesave, një tjetër problem për banorët është dalja nga shtrati e lumit Osum dhe përmbytja e tokave bujqësore të komunitetit rom, duke iu shkaktuar dëme të shumta në të mbjella.

Tokat e permbytura Morave

Në varrezat e lagjes “Stan”, një banor nisi të investonte vetë për të vendosur një portë “hyrëse” për në varreza, por sipas fqinjëve kjo punë u la përgjysmë ai ka emigruar.

Hyrja e Varrezave

Investim dhe Diskriminim

Po në të njëjtin fshat 2 kilometra më larg ndodhet lagja“Qendër”një realitet diametralisht i kundërt me lagjen “Stan”. Një lagje e rregulluar me ndriçim dhe një model më ndryshe ku investimet në infrastrukturë, dukshëm kanë përmirësuar jetën e banorëve. Nadirja banore asaj lagjeje, tregoi për investimet e kryera.

Nadire Rrënja

Para 1 viti është bërë asfaltimi i një pjese të rrugës ku bëhet rrotondoja e lagjes, ky ishte një investim i vogël mund të them, se një pjesë rruge është bërë se ka edhe rrugë që janë copë-copë. Lagja është e ndriçuar, por jo komplet, vetëm lagja “Qendrës”  ka ndryshim me lagjen e Romve që është 2 kilometra larg, tha për CRA, Nadire Rrënja

 

Community Reporters Albania i dërgoi një shkresë Bashkisë Berat në lidhje me lagjen Stan të fshatit Moravë. Ndryshe nga çfarë tregonte situara në terren, Bashkia konfirmon se sipas planit lokal për integrimin e Romëvë, “ ka investuar në asfalt në fshatin Stan për 800m2” , ndërsa  në lidhje me ndriçimin publik është verifikuar situata në terren nga specialistët dhe janë në fazë që po shqyrtohet mundësitë për të ndërhyrë sa më shpejt lidhur me rregullimin e situatë dhe se po punohet me një staf të kufizuar dhe në vijimësi me fondet e buxhetit 2024 do të planifikojnë ndërhyrje në këtë zonë.”

Në lagjen Qendër, rezultojnë të jenë investuar 130 milionë lekë, për  infrastrukturën rrugore, trotuarët, ndriçimin publik, rrjetin e ri të kanalizimeve. Ndërsa në lagjen ku jetojnë Romët nuk ka asnjë investim të tillë pavarësisht Planit Lokal për Romët dhe Egjiptianët të miratuar nga Bashkia Berat. “Po ta krahasosh me lagjen e Stan-it ku banojnë Romët ka ndryshime, sepse lagja e Romve është komplet totalisht në errësirë, kurse këtu është një pjesë e ndriçuar. Ndryshojnë sepse dihet se ne si organizata kot s’kemi ngritur zërin në bashki, kemi bërë kërkesa vazhdimisht për t’u takuar, kërkesa me shkrim po kjo situatë është e pandryshuar.  Domethënë ka goxha investime për t’u bërë në lagjen e Stanit, që nga rrugët, ndriçimi, varrezat, pusetat që e kam ngritur si shqetësim që dy a tre vite rresht dhe prap nuk janë rregulluar.” tregon Nadirja për CRA-në.

EN: The content of this material is not a responsibility of BIRN Albania, SCiDEV and/or Qendra Faktoje and does not necessarily represent the views of the European Union and the abovementioned partners.

AL: Përmbajtja e këtij materiali nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.