Rreth 700 refugjatë afganë kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, që prej 27 gushtit kur mbërriti grupi i parë. Mes tyre ka ish zyrtarë të qeverisë së rrëzuar në Afganistan, gazetarë, shoqëri civile dhe familjarë të ndryshëm që erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar rrëzikut të Talebanëve.
Tre gazetarë afganë, të cilët qëndrojnë prej muajit gusht në Shqipëri, u intervistuan dhe patën mundësinë të ndanin mbi historitë e tyre në Kabul, Afganistan, si edhe mundësitë për t’u integruar në Shqipëri për të vazhduar profesionin e tyre.
Beheshta Arghand është gazetaria e parë e cila intervistoi zëdhënësin e terroristëve taliban gjatë prezantimit të lajmeve në Kabul, gjatë intervistës ajo tha se:

“Thashë me vete, kjo është koha kur ne u tregojmë talibanëve se nuk duam të kthehemi mbrapa; ne nuk duam të qëndrojmë në shtëpi dhe kemi humbur të drejtat tona për këtë. Unë erdha dhe fillova sepse duam të drejtat tona, duam të qëndrojmë në shoqëri, duam të gjitha gjërat që kishim në qeverinë e kaluar. Kështu, për këtë, erdha dhe fillova punën”.
Ajo u largua nga Kabuli bashkë me 700 qytetarë të tjerë me ndihmën e trupave amerikane dhe tashmë ajo ndodhet në Shqipëri dhe e mbrojtur, Beheshta tha se “Mesazhi im për botën: Afganistani në ditët e sotme është në një situatë shumë të keqe, veçanërisht gratë gazetare afgane, ato nuk janë në një situatë shumë të mirë. Ju lutemi ndihmojini ato. Ekonomikisht, ato nuk janë në një situatë të mirë, janë të papunë, nuk kanë asnjë rrogë, kështu që nuk kanë para për të jetuar. Për këtë, ju lutem, kërkoj nga komuniteti ndërkombëtar që t’i mbështesë ato ekonomikisht. Së dyti, ju lutemi bëni diçka për evakuimin e tyre, sepse shumë gazetare afgane janë në një situatë të keqe, ato kërcënohen nga talibanët dhe ata gjithmonë ndryshojnë vendndodhjen. Nëse nuk evakuohen, ne do të jemi të humbur. Pra, për këtë, ju lutemi bëni diçka për evakuimin”

Gjatë intervistës, ne e pyetëm atë se çfarë mendon për Shqipërinë dhe si mendon ajo të zhvilloj jetën e saj profesionale në këtë vend, ajo tregoi se shqiptarët janë popull shumë i vlerësuar dhe mikpritës, “Shqipëria është një vend i bukur, njerëzit janë shumë të dashur. Ne jemi shumë mirënjohës për shqiptarët sepse ata bëjnë shumë gjëra për ne. Jemi në një vend të mirë, kemi gjithçka”.
Znj.Arghand shprehu se ajo kërkon një mundësi punë si gazetare, “jemi rreth 14 gazetarë këtu. Disa praktika, diçka që i përket gazetarisë, të kemi ndonjë praktikë për gazetarët sepse tani jemi të lirë dhe duam të kemi një përvojë me mediat shqiptare. Nëse kemi diçka të tillë, është më mirë”.
Masooma Erfan është gazetaria më e rë që filloi të punontë në Kabul për të mbuluar histori të ndryshme për të drejtat e njeriut, tashmë 19 vjeçe ajo ndodhet në Shqipëri larg rrezikun për jetën, si e shikon ajo historinë e Kabulit dhe pushtimit të saj ? “Fillova gazetarinë kur isha në klasën e 10-të në shkollë, dhe isha dëshmitare e çdo vuajtje, situata është aq e rrezikshme për njerëzit tanë”.
Ajo ishte dëshmitare e çdo shpërthimi, vrasje që ndodhi në vendin e saj, si është për të kjo ndodhi?

“Unë kam lindur emigrante, nuk kam parë dhe nuk kam përjetuar qeverinë talibane, sepse kjo ka qenë 20 vjet më parë. Tani që Kabuli ka rënë, është shumë keq, është aq e vështirë për mua, sepse shkolla ime është në Kabul, shoqëria është në Kabul, dhe tani familja ime është në Kabul, kurse unë mbërrita vetëm në Shqipëri. Dhe kjo është e vështirë për mua. Kjo nuk do të thotë që kam përfunduar punën time. Sapo fillova punën time. Fillova të shkruaj për njerëzit e Afganistanit, shkruaj për gratë e Afganistanit. Dhe duhet të shkruaj për viktimat e luftës në Afganistan, sepse kjo është një luftë, dhe mendoj se ky brez i ri mund të imponohet në këtë luftë. Dhe mendoj se mund të filloj punën time. Emigrantët dhe ikja nga Afganistani – kjo nuk do të thotë që unë e përfundova punën time”.
Faisal Karimi është një studius i medias në Kabul, edhe ai si shumë qytetarë të tjerë Afgan, erdhën në Shqipëri për t’u mbrojtur nga talebanët, gjatë intervistës u fokusuam të media, raportimi në Kabul dhe rreziqet që i kanosen gazetarëve. Z.Karimi tregon se:

“Ne jemi të shqetësuar për shkatërrimin e arritjeve të komunitetit të medias në Afganistan gjatë dy dekadave të fundit. Aktualisht, situata e gazetarëve afganë po përkeqësohet nga dita në ditë. Talibanët kanë ndaluar, i kanë fshehur dhe torturuar gazetarët afganë shumë herë. Mbi 115 media janë mbyllur tani dhe mbi 100 gazetarë u detyruan të largohen nga vendi. Në këtë moment, nuk ka asnjë media të pavarur dhe të lirë në Afganistan dhe gazetarët dhe mediat po punojnë nën presionin dhe kërcënimin e talibanëve”.
Liria e mediave dhe fjalës në Kabul tashmë është e ndaluar dhe e rrezikshme pasi ata pushtuan të gjithë qytetet në Afganistan, duke rikthyer edhe njëherë frikën tek qytetarët edhe pse kanë më shumë se 30 vite që luftojnë për tokën e tyre. Pyetëm Faisal-in sesi mediat në Shqipëri kanë raportuar për ardhjen e tyre këtu dhe si mendon ai? Ai tha se ”Që nga ardhja në Shqipëri, pamë se gazetarët dhe mediat shqiptare mbuluan gjerësisht jetën e emigrantëve afganë në Shqipëri. Ndërsa rishikova, vëzhgova dhe lexova disa media shqiptare, pashë që ato paraqitën një imazh pozitiv për Afganistanin dhe për emigrantët afganë në Shqipëri. Por ne e dimë se kjo tregoi dashamirësinë për njerëzit në Afganistan, dhe, totalisht, mediat shqiptare paraqitën një marrëdhënie të mirë … Ata e kuptojnë plotësisht situatën në Afganistan dhe përpiqen të mbështesin emigrantët afganë këtu, dhe përpiqen të paraqesin një imazh pozitiv të emigrantëve tek njerëzit e tyre. I respektojnë shumë emigrantët afganë këtu dhe përpiqen t’i ndihmojnë ata dhe të reflektojnë zërat e tyre në botë për të kuptuar problemet e emigrantëve afganë këtu dhe në vende të tjera”.
Intervista është realizuar në kuadër të projektit Reporting Diversity Network 2.0, zbatuar në Shqipëri nga Instituti Shqiptar i Medias