Fillimi i muajit Maj solli fillimin e punimeve në lagjet e fshatit Baltëz për të shtruar rrugicat në të cilat kanë banesat e tyre edhe familje rome.
“Është përmirësim i kushteve të jetesës edhe asfaltimi i rrugicave ku banojnë familje rome. Asfaltimi i rrugëve ka qënë detyre e bashkisë Fier, si aktivitet i parashikuar në Planin Lokal Vendor për Integrimin e Romëve e Egjiptanëve 2019-2022”, shpjegon Eduart Koci, aktivist rom në Fier i cili ka ndjekur nga afër ecurinë e këtij procesi.
Aktualisht po vijon puna për shtrimin e rrugëve në fshatin Baltëz pranë lagjeve rom, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore në këto lagje.
Për të parë zbatueshmërinë e aktiviteteve të parashikuara në Planin Vendor për Integrimin e Romëve për vitin 2019-2022 Community Reporters Albania, ka ndjekur në mënyre shkresore por edhe në terren realizimin e aktivitetit 3.1.6. Në lidhje me “Asfaltimi/gjelbërimi, ndriçimi i rrugëve të brendshme”. Presioni i krijuar nga kërkesat e firmosura të anëtarëve të komunitetit për shtrimin dhe ndriçimin e rrugëve në fshatrat ku jetojnë dhe mediatizimi i problematikave ka ndikuar në realizimin e aktiviteteve të parashikuara në Planin Vendor për Integrimin e romëve dhe egjiptianëve në bashkinë Fier.
Nga komunikimi zyrtar me bashkinë Fier, kjo e fundit deklaron se për këtë aktivitet specifik ka vijuar puna për realizimin e tij dhe do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë për të gjitha metrat e rrugëve të parashikuara.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj në lidhje me informacionet për zbatueshmërinë e aktiviteteve, referuar Planit Vendor për Intregrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane 2019-2022 për bashkinë Fier, ju informojmë si më poshtë vijon;
3.1.6. Në lidhje me “Asfaltimi/gjelbërimi, ndriçimi i rrugëvë të brendëshme” në Levan, lagja “1 Maji” janë shtruar 100 mlinear rrugë të brendshme, është bërë sistemimi I ujrave të zeza dhe 70% e ndriçimit të rrugëve. Ndërkohë janë shtruar edhe 800 mlinear rrugë me rërë bituminoze. Lagja “Kodër” janë shtruar rrugët kryesore dhe rrugët e brendshme janë sistemuar me rërë bituminoze.
Komuna Qëndër, lagja “Kazanxhijtë” janë shtruar 200 mlinear rrugë të brenshme. Rruga Halim – Muçaj dhe rrugët brenda lagjeve janë sistemuar me material dhe me ndriçim dhe është planifikuar me buxhetin e vitit 2023 për shtrim. Hamil – Muçaj – Baltëz është shtruar rruga kryesore së bashku me ndriçimin”.
Asfaltimi dhe ndriçimi i këtyre rrugicave për fshatin Baltëz është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga banorët romë të cilët janë organizuar së bashku me aktivistët dhe kanë nxitur bashkinë të plotësojë kërkesat e tyre. Peticionet e dërguara nga komuniteti dhe kërkesat për informacion nga CRA dhe mediatizimit kanë bërë të mundur të përshpejtojnë përmbushjen e kërkesave. Në CRA janë publikuar herë pas here sukseset e angazhimit të anëtarëve të komunitetit të cilat lidhen me shtrimin e rrugëve dhe ndriçimin e tyre. Gjatë këtij procesi, bashkia Fier ka dëgjuar kërkesat e banorëve dhe ka premtuar përmbushjen e tyre gjatë vitit.
Pas shtrimit të rrugës kryesore në fshatin Baltëz, banorët romë kanë kërkuar prej kohësh edhe shtrimin e rrugicave nëpër lagje si edhe ndriçimin e tyre. Ndërkohë që bashkia Fier ka filluar punën për shtrimin e rrugicave në fshatin Baltëz, gjithashtu ka pajisur me ndriçim rrugicën kryesore në Baltëz. Reagimi i bashkisë erdhi menjëherë pas kërkesës së firmosur nga banorët romë të fshatit.
“Angazhimi i komunitetit duke u bërë bashkë dhe duke dërguar kërkesat tona nxiti bashkinë Fier të realizojë kërkesat e tyre. Edhe bashkia ka qënë bashkëpunuese dhe ka arritur të përmbushë edhe planin vendor duke lehtësuar jetën e rreth 250 familjeve rome në Baltëz, ku janë ofruar këto shërbime, asfaltim dhe ndriçim i rrugëve”, shprehet aktivisti Eduart Koci.
CRA ka qënë në komunikim të vazhdueshëm me banorët, aktivistët dhe bashkinë Fier për të evidentuar ndërhyrjet konkrete në komunitet dhe për të ndjekur zbatueshmërinë e Planit Vendor. CRA është duke investiguar mbi zbatueshmërinë e planeve vendore për disa bashki të cilat kanë një popullsi të konsiderueshme të minoriteteve rom dhe egjiptian. Falë angazhimit të anëtarëve të komunitetit dhe mediatizimit, bashkia Fier po vijon të përmbushë aktivitetet e parashikuara në Planin Vendor për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2019-2022 duke përmirësuar infreastrukturën pranë vendbanimeve rome e egjiptiane.