Garantimi i të drejtave të njeriut gjatë kohës së pandemisë, pati një ulje të konsiderueshme gjatë tre-mujorit të parë të karantinës kombëtare në Shqipëri.
Një studim i ri nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për “Vlerësimin e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës teksa Shqipëria kryeson OSBE-në” nxorri në pah se nga muaji marsi deri në korrik të vitit 2020, ka patur 48 organizime tubimesh , për të cilat janë proceduar penalisht 307 individë për oganizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme. Ndër këto tubime, 9 janë shpërndarë nga Policia dhe në disa prej tyre është përdorur dhunë. Disa prej këtyre rasteve, janë ende nën hetim nga Avokati i Popullit, i cili ka rekomanduar ndërprerjen e praktikës së Policisë së Shtetit për moslejimin e tubimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, me qëllim garantimin e kësaj të drejte kushtetuese, duke respektuar protokollet përkatëse shëndetësore gjatë pandemisë.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, më datë 4 mars të këtij viti (2020), qeveria shqiptare shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore e cila zgjati tre muaj. Gjatë kësaj gjendje, Shqipëria dergoi zyrtarisht nga disa nene të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), të cilat afirmojnë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, të drejtën për jetë private dhe familjare, të drejtën e pronës dhe të drejtën për edukim.
Pavarësisht detyrimeve ligjore dhe nevojës së shtuar për informacion, masat kufizuese dhe zhvendosja e komunikimeve dhe veprimtarisë së institucioneve online, patën ndikim negativ në ushtrimin e të drejtës për informim. Kjo ka prekur veçanërisht njerëzit në nevojë që i përkasin grupeve të margjinalizuara (psh. personat me aftësi të kufizuar, ata në vështirësi ekonomike, pa akses në internet), etj. Gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë hasur vështirësi për të marrë informacion zyrtar dhe kanë raportuar rënie të transparencës, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë hasur vështirësi për të marrë informacion zyrtar dhe kanë raportuar rënie të transparencës. Numri i ankesave të marra nga zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit, gjatë periudhës së pandemisë mars – korrik 2020 është i lartë dhe shënon një shifër prej 235 ankesash, ku në 65% të këtyre rasteve institucionet e kanë përmbushur detyrimin e tyre vetëm pas ankimit nga subjektet që kanë patur vështirësi për të marrë informacion.
Në vetëm 6% të rasteve, Komisioneri është shprehur me vendim dhe në asnjë prej tyre nuk është vënë sanksion administrativ/gjobë. Megjithatë, është pozitiv fakti që disa institucione i janë përshtatur nevojës për të informuar publikun për veprimtarinë e tyre, duke qasur forma inovatore të teknologjisë së informacionit si për shembull Kuvendi i Shqipërisë, disa prej bashkive në vend, etj.
Gjatë periudhës së pandemisë u miratuan ndryshime të rëndësishme të ligjeve të rëndësisë së veçantë si në Kodin Penal, Kodin Zgjedhor, në legjislacionin për taksat, buxhetin, etj. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndryshimeve nuk respektuan kërkesat e konsultimit publik efektiv, u kritikuan nga organizatat e shoqërisë civile dhe grupe interesi, ndërkohë që vendi nuk kishte (dhe nuk ka) një Gjykatë Kushtetuese funksionale ku këto ligje të kundërshtoheshin sa i takon pajtueshmërisë me Kushtetutën. Në një situatë krejtësisht jo të përshtatshme për vendin, qeveria vendosi të shembë godinën e Teatrin Kombëtar, pavarësisht kundërshtive të vazhdueshme të një pjese të artistëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Pezullimi i përkohshëm i veprimtarisë gjyqësore shkaktoi reagime të ndryshme duke filluar nga cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, veçanërisht në komponentin e aksesit në drejtësi dhe ndikimin që pati në vonesat në proceset gjyqësorederi tek implikimet për të drejtën për të ushtruar profesionin, veçanërisht të avokatëve. Të dhënat për vitin 2020 raportojnë se numri i dosjeve të mbartura që presin të gjykohen në të gjitha gjykatat në vend është 92,602, ndërkohë që një vit më parë, për vitin 2019 numri i dosjeve të mbartura ishte 77,853. Në shumë vende u prezantuan masa, si dhe legjislacioni i ri për videokonferencat, dosjet digjitale gjyqësore, etj, ndërkohë që në vendin tonë, asnjë prej masave nuk lidhej me përshtatjen e shërbimeve të gjykatës me metodat digjitale.
Disa nga kufizimet e vendosura gjatë pandemisë, si edhe kontrollet për të vërtetuar nëse njerëzit po respektojnë̈ karantinën, gjurmimi i kontakteve të tyre, raportimi i detyrueshëm i të̈ dhënave mjekësore, publikimi i të dhënave sensitive lidhur me shëndetin e pacientëve kanë krijuar pikëpyetje mbi respektimin e së drejtës për jetë private dhe familjare, si dhe proporcionalitetin apo domosdoshmërinë e kufizimeve të vendosura.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka theksuar se pas shpërthimit të pandemisë, zbatimi i urdhrit të ndalimit të tubimeve ka ceduar, pasi nuk aplikohet në mënyrë të njëtrajtshme. Shpërndarja e tubimeve dhe procedimet e pjesëmarrësve kanë vijuar edhe gjatë muajve pasues, edhe pse pas shtatorit të vitit 2020 aktivitetet elektorale të partive politike janë zhvilluar normalisht pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më 6 shtator 2020.
Së fundmi, për shkak të Covid, qeveria ka ndaluar grumbullimet me më shumë se 10 persona, duke përfshirë këtu ato të partive politike, gjë e cila është kontestuar nga Partia Republikane si antikushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Për të lexuar raportin e plotë klikoni linkun.
https://ahc.org.al/raport-vleresimi-i-te-drejtave-te-njeriut-dhe-shtetit-te-se-drejtes/