Vajza nga Turqia që solli dashurinë në Shqipëri për të ndërtuar jetën në Tiranë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga:Denada Lura

Ata janë ndër të parat familje turke që erdhën në Shqipëri. Ishte viti i vështirë `97, kur babai i Yildiz Abakay vendosi të vinte dhe të ndërtonte biznesin e tij në vendin tonë, një restorant turk në kryeqytet.

Yildiz ka lindur në vitin 1996 në Gaziantep, në Turqi. Ka ardhur në Shqipëri në vitin 1999, kur ishte vetëm 2-vjeç, pasi babai i saj kishte hapur restorantin. Fillimet për të kanë qenë të vështira, veçanërisht me gjuhën shqipe, por më pas do të përshtatej më së miri dhe tashmë prej më shumë se 20 vitesh jetojnë në Shqipëri dhe ndjehen po aq shqiptar sa edhe turq.

Së bashku me prindërit, motrën dhe vëllain, ata kanë qenë një familje e lumtur, që ia dolën të ndërtonin jetën e tyre në Tiranë, sot qyteti i tyre i zemrës. Ajo ka kaluar një fëmijëri shumë të bukur. Ka qenë në çdo lloj kursi të mundshëm, basketboll, volejboll, kitare, por studimet do t`i ndiqte në një fushë komplet tjetër, atë të mjekësisë.

“Dy vitet e para i kam bërë në Turqi, pastaj erdha në Shqipëri dhe e mbarova Universitetin e Mjekësisë në Tiranë për Mjekësi të Përgjithshme.”

Gjatë studimeve në Turqi, ajo u dashurua me një djalë turk. Një histori e bukur dashurie, por që duhet të kalonte një sfidë, lidhjen në distancë sepse vitin e tretë Yildiz vendosi të kthehej në Tiranë…

Për hir të dashurisë djaloshi vendosi të linte familjen e tij në Turqi, për dashurinë e tij të madhe për Yildizin, duke zgjedhur Tiranën si qytetin ku do të ndërtonin jetën e tyre. Ata janë martuar gushtin e vitit të kaluar, madje kanë bërë edhe një dasmë të bukur.

Prej 3 vitesh tashmë ata jetojnë në kryeqytetin shqiptar dhe kanë hapur një klinikë estetike.

Ajo e Yildiz dhe familjes së saj është padyshim një histori frymëzuese se si me punë, vullnet dhe shumë këmbëngulje mund t`ia dalësh. E megjithatë, nuk do të ishte e lehtë nëse nuk do të kishin biznesin e tyre, sepse të jetosh me një rrogë në Shqipëri, sipas Yidizit është shumë e vështirë…

“Mendoj se Shqipëria ka shumë mundësi për punë, por duhet të kesh një lloj fuqie ekonomike për të bërë diçka. Në qoftë se në Shqiperi ke biznesin tënd, jeta është pak më e thjeshtë, por kur punon me një rrogë të caktuar jetesa në Shqipëri është e vështirë!”

Por Shqipëria është vendi që ajo ka jetuar që kur ishte vetëm 2-vjeç, është vendi ku u rrit, u arsimua, dhe vendi ku zgjodhi të jetojë dhe të ndërtojë familjen e saj. Një rast jo shumë i dëgjuar, por mjaft i bukur e shpresdhënës edhe për shumë shqiptarë të tjerë që në kohët që jetojmë vendosin të largohen nga Shqipëria…

“Për Shqipërinë patjetër që do them fjalët më të bukura se e meriton si vend. Mendoj se kemi shumë tradita të përbashkëta dhe më pëlqen që njerëzit janë miqësor. Normalisht, meqë jam rritur në Shqipëri jam ambientuar me këtë vend dhe më pëlqen të jetoj këtu.”

Më të lexuarat