Romët në Shqipëri janë ndër grupet vulnerabël në shoqëri, ata ndër vite kanë përjetuar racizëm sistematik dhe steorotipe të cilat kanë krijuar një hendek social.
Qendra për Advokim Social së bashku me Qendrën T’REJA organizuan një takim të hapur me përfaqësues të institucioneve vendore e qëndrore, si dhe përfaqësues të trupës diplomatike në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe vështirësitë që romët hasin në aksesin e shërbimeve publike si: Strehimi, punësimi, diskriminimi etj.
Qas dhe Treja sollën së bashku një ekspozitë e titulluar “Rikujtesë” kuruar nga Jeta Pera. Ekspozita kishte për qëllim të rikujtoje ngjarjet e rëndësishme që Romët kanë përjetuar gjatë viteve. Romina Sefa, aktiviste e Qas tha për CRA se ka momente ku duhet të festojmë por kjo duhet ta nxisë për të bërë më të mirën.
“Patjeter që 8 prilli ështe një ditë e dedikuar minoritetit rom ndërkombëtarisht, patjeter që kemi gjera për te cilat duhet të festojmë dhe të ndjehemi krenar, mirëpo kjo është një e cila duhet të na nxisi që të bëjmë më të mirën tonë për komunitetin sepse shumë sfida dhe vështirësi kanë nevojë akoma të adresohen sepse akoma nuk janë zgjidhur dhe duhet një qasje më aktive si me fuqizimin e komunitetit dhe angazhimin e tij”.
Ekspozita ka si qëllim të risjellë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse përmirësimin në aksesin për strehimit social, garantimin e energjisë elektrike, punësimin dhe trajtimin pa diskriminim. Këto shërbime të parashikuara në ligjet që vet institucionet hartojnë ende nuk gjejnë zbatim për të përmirësuar jetën e anëtarëve romë. Ndonëse ka patur përmirësime por të pamjaftueshme, këto probleme përcillen përmes instalacioneve dhe fotografive të shkrepura gjatë punës së bërë ndër vite.
Ekspozita risjell shembjen e shtëpive në Selitë, si dhe pamundësinë e familjeve rome për të gjetur një shtëpi me qira në treg të lirë duke e bërë të pazbatueshëm një nga programet e strehimit social. Ofrimi i zgjidhjeve të përkohshme të problemeve nuk i zgjidhin ato por i mbartin në kohë duke mbetur në ciklin e vazhdueshëm e varfërisë.
Ndonëse adresojmë probleme me të cilat përballen familjet rome, janë probleme që prekin të gjithë të varfërit në vendin tonë. Mungesa e energjisë elektrike dhe ndiçimi ende me qiri është realiteti i familjeve të varfra rome të cilët sigurojnë mbijetesën me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Institucionet kanë hartuar ligjin për sektorin e energjisë elektrike, por nuk e vendosin në zbatim garantimin e enegjisë elektrike për familjet në nevojë.