ODIHR publikoi ditën e sotme raportin final për zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri, përpos fushave të ndryshme në këtë raport, Community Reporters Albania gjeti se ndonëse Shqipëria garanton me ligj të drejta të plota politike, civile dhe shoqërore për të gjitha pakicat kombëtare, komunitetet Rome dhe Egjiptiane vazhdojnë të përballen me vështirësi të dukshme në ushtrimin e këtyre të drejtave gjatë proceseve zgjedhore.
Sipas raportit, janë bërë përpjekje për të rritur edukimin zgjedhor në komunitetet Rome në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por një pjesë e konsiderueshme e tyre mbetet ende e painformuar mbi procedurat e votimit. Në disa zona, anëtarët e këtyre komuniteteve nuk ishin të qartë për vendndodhjen e qendrave të votimit, çka lidhet pjesërisht me mungesën e komunikimit të mjaftueshëm nga autoritetet.
ODIHR vëren gjithashtu se përpjekjet për blerjen e votës ndaj komuniteteve Rome dhe Egjiptiane mbeten një problem serioz, duke prekur në mënyrë disproporcionale shtresat më të vulnerabël të shoqërisë. Sipas raportit, këto praktika synojnë zakonisht grupet më vulnerabël, por ndikojnë në mënyrë të theksuar te pakicat kombëtare, sidomos te Romët dhe Egjiptianët.
Megjithëse Kodi Zgjedhor garanton pjesëmarrje të barabartë për të gjithë qytetarët, raporti thekson se përfaqësimi i pakicave kombëtare në Kuvend mbetet i ulët. Në zgjedhjet e fundit, asnjë parti e pakicave kombëtare nuk arriti të sigurojë mandat në parlament, ndërsa sistemi zgjedhor aktual shihet si pengesë për subjektet që përfaqësojnë këto komunitete.
Në përfundim, raporti nënvizon se përmirësimi i edukimit zgjedhor dhe forcimi i masave kundër praktikave korruptive janë thelbësore për të garantuar pjesëmarrje reale dhe të barabartë të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në proceset demokratike të vendit.
ALB-Parliamentary-2025-Final-Report_advance-copy-1

