Agjensia e Kadastrës diskriminon të moshuarin rom për dokumentet e shtëpisë

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Mustafa Zeqiri është banor i zonës së Yzberishtit, në Njësinë Administrative nr. 6 në Tiranë që prej vitit 1994. Në vitin 2006 ai ka dorëzuar dosjen pranë Kadastrës për të legalizuar banesën e tij në këtë zonë të kryeqytetit. Kjo lagje, e klasifikuar si informale nga ana e Drejtorisë Vendore Tirana Rurale 2, pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës i jep statusin “e palegalizueshme” banesës së tij.

Që prej momentit të ndërtimit, Mustafai ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për legalizimin e banesës, por ende sot kur kanë kaluar 15 vite ai nuk e ka tapinë e shtëpisë në duar.

Pretendimi i tij lidhur me këtë çështje është qasja diskriminuese e institucioneve për shkak të përkatësisë etnike dhe gjendjes ekonomike, pasi banorë të tjerë pranë tij janë pajisur me leje legalizimi që para vitit 2017.

Banesa e Z.Zeqiri, pamje nga Google Maps

“Më thonë do bjerë plani, po si ka mundësi që do prekë vetëm pjesën ku është shtëpia ime. Komshiu ngjitur është legalizuar, më ka treguar letrat. Ka padrejtësi, unë ndihem i diskriminuar këtu se gjithë lagjia e ka marrë legalizimin”, pretendon Mustafai.

Mbi këtë pretendim, mbështetur nga fqinjë të tij të pajisur me lejën e legalizimit, së bashku me asistimin e ofruar nga Qëndra për Advokim Social, iu drejtuan institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky i fundit ka ndjekur të gjithë procedurën ligjore për të qartësuar situatën dhe pretendimin e ankuesit.

Për rastin në fjalë, mbështetur në analizimin e fakteve dhe provave, si dhe në bazë të rezultateve që dolën nga procedura e shqyrtimit të ankesës, Komisioneri gjykoi se ekziston një trajtim i padrejtë dhe i disfavorshëm i ankuesit. Trajtimi i padrejtë është bërë nga ana e Drejtorisë Vendore Tirana Rurale 2, e cila si pjesë e ASHK-së, si dhe në bazë të nenit 67, të ligjit nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, ka ngarkim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike.

Mustafa Zeqiri ka depozituar deklarimin e tij për legalizim të ndërtesës informale që në vitin 2006 dhe procedura e legalizimit është zvarritur për pothuajse 15 vjet.

Vetëm në vitin 2021, pas fillimit të hetimit administrativ të Komisionerit, Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2, u vu në lëvizje për të proceduar rastin e Mustafa Zeqirit. Një zvarritje e tillë atij i ka kushtuar shumë, pasi aktualisht legalizimi i këtij objekti nuk mund të kryhet më, pasi me miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë në vitin 2017, ndërtesa e tij informale preket nga rrjeti rrugor i parashikuar në këtë Plan.

Njëkohësisht, referuar akteve të depozituara në cilësi prove, Mustafai ka përshkruar përkatësinë etnike rome si edhe gjendjen e vështirë ekonomike. Ai jeton me bashkëshorten e tij, dhe të dy janë punë-kërkues të papunë. Në këto kushte, gjendja ekonomike familjare e tij nuk është e mirë. Në analizë fakteve të mësipërme, Komisioneri ka gjykuar se jemi para situatës së prezumimit të diskriminimit nga Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2 ndaj Mustafa Zeqirit.

Drejtoria Vendore Tirana Rurale 2 nuk dërgoi prane KMD-së informacionin e kërkuar që konsistonte në të dhëna, lidhur me banorë të tjerë, të së njëjtës zonë me ankuesin, që kanë ndërtuar pa leje ndërtimi, kanë depozituar kërkesë për legalizim në periudhën kohore 2006- 2017 dhe objektet e tyre janë legalizuar, informacion mbi arsyen e mos legalizimit të ndërtimit informal të z. M.Z. para vitit 2017 etj., edhe pse kishte barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendonte ankuesi.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vendosi;  Konstatimin e diskriminimit të z. M.Z., për shkak të racës dhe gjendjes ekonomike, nga ana e Drejtorisë Vendore Tirana Rurale 2, pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës.

Qëndra Për Advokim Social do të ofrojë asistencë ligjore për ndjekjen e rastit në Gjykatën Administrative  e Shkallës së Parë, Tiranë.

           Shkëputur nga dokumenti Zyrtar i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

https://www.kmd.al/wp-content/uploads/2021/07/Vendim-nr.-126-date-05.07.2021-M.Z.-kunder-Drejtorise-Vendore-Tirana-Rurale-2-ASHK-Diskriminim.pdf

Më të lexuarat