Në një njoftim në rrjetet sociale, Center for Legal Empowerment tha se gjykata njohu të drejtën e punëtorëve të call centërave të pushuar në prill të vitit 2022 duke mos respektuar ligjin për pushimin kolektiv.
Punëmarrësit të call center i njihet nga gjykata e drejta e shpërblimit kundër kompanisë për mosrespektimin e ligjit në pushimin kolektiv. 188 punëmarrësve të cilët ishin në marrëdhënie pune pranë një kompanie call center i janë zgjidhur kontratat e punës në muajin prill të vitit 2022.
12 prej tyre paraqitën një padi kolektive pranë gjykatës duke kërkuar shpërblimin e dëmit për shkak se punëdhënësi nuk ka respektuar procedurën e parashikuar në ligj për pushimet kolektive nga puna.
Gjykata fillimisht vendosi që për secilin nga punëmarrësit do të zhvillohen 12 gjykime individuale, ndërsa në përfundim të gjykimit të padisë së parë, vendosi pranimin e saj dhe dëmshpërblimin e punëmarrësit me 6 paga.
Gjykata pranoi pretendimin e avokatëve të Centre for Legal Empowerment – CLE për mosrespektimin nga ana e punëdhënësit të procedurës së pushimit kolektiv, për shkak të refuzimit për të thirrur Sindikatën Kombëtare të Operatorëve Telefonikë –SKOT në takimin këshillimor të zhvilluar me punëmarrësit.
CLE dhe SKOT po vijon me ndjekjen e 11 proceseve të tjera gjyqësore për kërkimin e shpërblimit të dëmit për shkak të mosrespektimit të ligjit në procedurën e pushimit kolektiv edhe për punëmarrësit e tjerë.