Fëmijët e Yzberishtit në Tiranë vuajnë mungesën e një kopshti dinjitoz

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Kopshti i Yzberishtit nuk ofron kushte normale për 117 fëmijë të zonës që e frekuentojnë. Prindër të zonës dhe Qëndra për Advokim Social, i janë drejtuar bashkisë Tiranë për të ndërhyrë në infrastrukturë për godinën e kopshtit. Pamjet nga jashtë të godinës nuk i ngjason një kopshti për fëmijë të vegjël dhe kushtet fizike të saj nuk janë optimale për zhvillimin e procesit edukativ. Ngrohja në këtë kopësht sigurohet nga përdorimi i sobës me dru në pamundësi të pajisjes me sistem ngrohje.

Fatmir Zyberi

E kam regjistruar fëmijën në atë kopësht dhe kopshti nuk plotëson kriteret e duhura për të qëndruar fëmijët aty. Orari i kopshtit varion deri në 5 orë, nuk ofrohet shërbimi i ushqimit dhe nuk ka ngrohje për fëmijët, akoma ngrohen me sobë me dru. Ky orar nuk na ndihmon të punojmë dhe do ishte mirë që të funksionojë si një kopësht me orar të zgjatur me shërbimet normale si kopshtet e tjera të Tiranës. Godina ka nevojë për rregullime. Në kopshte të tjera nuk na i pranojnë fëmijët pasi si banorë të kësaj zone nuk mund të regjistrojmë fëmijët diku tjetër” tregon Fatmir Zyberi, prind i një fëmije frekuentues i këtij kopshti.

Xhuljana Sakollari, aktiviste pranë Qëndrës për Advokim Social tregon se nga kontakti me prindërit e kësaj zone është njohur me shqetësimet e tyre lidhur me godinën dhe mënyrën e funksionimit të kopshtit. Kjo qëndër ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar kërkesat e prindërve dhe përmirësimin  e kushteve të kopshtit.

Xhuljana Sakollari

“ Nisur nga shqetësimet e prindërve ne i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion zyrtar lidhur me numrin e fëmijëve që e frekuentojnë dhe mënyrën e funksionimit të këtij kopshti në varësi të programit që zbatojnë. Kërkesa e dytë e drejtuar këtij kopshti lidhej me ndërhyrjet infrastrukturore që janë bërë në kopësht vitet e fundit por nuk kemi marrë një përgjigje. Nga një përgjigje zyrtare e marrë nga shkolla pranë “Shyqyri Peza” për të njëjtën problematikë, jemi informuar se edhe godina e kopshtit ka nevojë për ndërhyrje rikonstruksioni dhe vendosjen e dyer, dritare të reja, rrjet elektrik, suvatime të brendshme e të jashtme, hidroizolim dhe drenazhim.

 I jemi drejtuar bashkisë Tiranë me një memo, në të cilën përshkruajmë nevojën e ndërhyrjes për përmirësimin e infrastrukturës si edhe zgjerimin e programit për kopshtin duke shtuar orarin, ofrimin e drekës dhe fjetjes për fëmijët e zonës, prindërit e të cilit janë në punë me orar të plotë. Kemi kërkuar që rikonstruksioni i godinës së kopshtit të përfshihet në planbuxhetin e vitit të ardhshëm për bashkinë Tiranë”.

Pas komunikimit zyrtar përmes shkresave, Bashkia Tiranë  ka njoftuar zyrtarisht se Drejtoria e Planifikimit të Punëve Publike ka kryer inspektim dhe ka konstatuar problemet e këtij kopshti. Ndërkohë deri në ndërhyrjen përfundimtare në godinë, drejtoria e përgjithshme e objekteve publike është ngarkuar për mirëmbajtjen dhe kontrollin e godinës. Në një të ardhme të afërt, përmes projekteve që do zhvillohen në zonë përmes partneritetit publik privat do të ndërhohet një kopësht me 6 klasa. Nuk ka një afat të përcaktuar për këtë ndërhyrje, kështu që fëmijët e kopshtit do të duhet të përfundojnë vitin edukativ në të njëjtën godinë.

Më të lexuarat