Aplikimet në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, rënie mbi 40%.

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Cela

Ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria për mbajtjen “peng” të diplomave të studentëve të Mjekësisë për 5 vite pas përfundimit të studimeve, por edhe vendosja e provimit hyrës të digjitalizuar për herë të parë këtë vit për kandidatët, ka reduktuar numrin e maturantëve që kanë aplikuar këtë vit për programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme”. Një vit më parë në këtë degë aplikuan 3183 maturantë, ndërsa këtë vit janë vetëm 1813 aplikime për 400 kuota, duke pësuar kështu një rënie prej më shumë se 40% të aplikimeve.

Aplikimet “Mjekësi e Përgjithshme” 2022-2023

Aplikimet “Mjekësi e Përgjithshme” 2023-2024

Ndërkohë kuotat e pranimit do të pësojnë rritje në 500 të tilla, çka do të sjellë një rënie të mesatares për ata që zgjedhin të studiojnë “Mjekësi të Përgjithshme”, duke zbehur konkurrencën e duke bërë që aplikimet të mbeten thuajse në të njëjtin numër sa janë dhe kuotat e pranimit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, rreth 1/4 e kandidatëve do të shpallen automatikisht fitues, edhe sikur të kenë mesatare të ulët, çka përkthehet në ulje të cilësisë së mjekëve të rinj, gjë që është paralajmëruar nga studentët aktualë të kësaj dege që në gjenezë të diskutimeve për ligjin e ri.

Ndërkohë, për herë të parë këtë vit aplikantët në programin e “Mjekësisë së Përgjithshme”, do i nënshtrohen edhe testimit të informatizuar në QSHA, i cili më herët ishte njoftuar se do zhvillohej në intervalin 10-20 gusht, por deri në momentin e fundit maturantët nuk kishin asnjë njoftim, derisa më 11 gusht u bë me dije se afati për provimin hyrës u shty dhe do të zhvillohet gjatë intervalit kohor 14 deri më 24 gusht.

 Lista emërore për testimin e informatizuar të maturantëve

Kalendari i testimit të informatizuar.

Njoftimi mbi procedurat e testimit

Si të mos mjaftonin ndryshimet e sipërpërmendura, aplikantëve iu shtua edhe një barrë financiare me vendosjen e një tarife prej 5000 lekësh të rinj për t’iu nënshtruar këtij testimi.

Kujtojmë se këtë vit në universitet kanë aplikuar 19,600 maturantë, numër i cili ka pësuar ulje me mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar që ishin 21 mijë maturantë, ndërsa dy vite më parë aplikuan 23 mijë maturantë. Aplikimet në universitetet e vendit po vijnë në ulje vit pas viti për shkak të rënies së numrit në tërësi të maturantëve, pjesa dërrmuese e të cilëve zgjedhin të studiojnë jashtë vendit dhe për këtë situatë rendisin si shkak kryesor politikat e qeverisë për arsimin.

 

Më të lexuarat