
Civil Rights Defenders çdo vit akordon një çmim për Mbrojtësin e të Drejtave të Njeriut. Ky çmim i jepet aktivistëve të ndryshëm që, pavarësisht nga rreziku për sigurinë e tyre, ata vazhdojnë luftën e tyre për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Çmimi Civil Rights Defender(CRD) për Vitin 2022 i jepet aktivistes LGBTI+ Xheni Karaj për luftën e saj të palodhur për mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI+, aty ku homofobia, diskriminimi dhe dhuna janë të përhapura gjerësisht.
Xheni, pavarësisht se punon në mjedise ku homofobia është e përhapur, ajo vazhdon të luftojë me një forcë mbreslënëse, për të drejtën e çdo individi për të patur orientimin e tyre seksual si dhe identitetin gjinor. Xheni Karaj ka qenë një figurë e rëndësishme në krijimin e lëvizjeve LGBTI+ në Shqipëri. Gjithashtu, ka frymëzuar aktivistët LGBTI+ në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ajo është një nga aktivistet LGBTI+ dhe feministet më me ndikim në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor. Xheni është një nga themelueset e Aleanca LGBT, një organizatë LGBTI+ në Tiranë që ndër të tjera, ka organizuar paradën e parë të Krenarisë në Shqipëri në vitin 2012. Gjthashtu, është një nga themelueset dhe presidentja e Qendrës STREHA, streha e parë në Evropën Lindore për personat LGBTI+ që janë mohuar dhe abandonuar nga familjet e tyre.
“Çmimi na bëri të gjithëve të ndihemi shumë të lumtur dhe të vlerësuar dhe na motivon të vazhdojmë me punën e mirë që po bëjmë. Marrja e kësaj mirënjohjeje më ndihmon gjithashtu të kuptoj se po bëjmë një revolucion në Shqipëri. Nga të qenit të padukshëm, ne u kemi treguar njerëzve se ekzistojmë. Se ne jemi krenarë për veten dhe duhet të kemi të drejtë të jemi të lirë dhe të tregojmë historitë tona”, thotë Xheni Karaj.
CRD akordoi gjithashtu një çmim tjetër për një aktivist nga Uganda i cili po ashtu lufton si Xheni për të mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTI+ ku diskrimini dhe dhuna janë prezentë kudo, ai tha se “Jam i emocionuar dhe i lumtur për çmimin. Ky çmim tregon se të drejtat LGBTI+ janë pjesë e të drejtave universale të njeriut. Për ne, është një njohje që jemi të përfshirë në avancimin e punës për të drejtat e njeriut”, thotë Frank Mugisha.
