A po i plotëson qeveria shqiptare kushtet që kërkon BE për Romët dhe Egjiptianët?  

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Më 20 Prill u mbajt seminari i pestë për Konkluzionet Operacionale  të Dialogut Politik Shqipëri-BE për planin kombëtar të  veprimit për minoritetin Rom dhe atë Egjiptian për periudhën 2019-2021. Qeveria shqiptare çdo 4-vite harton një dokument politik me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare për integrimin e këtyre minoriteteve, por raportet dhe studimet e shumta në këtë fushë kanë treguar se Romët dhe Egjiptianët në Shqipëri vijonë të përballen me mungesën e shërbimeve bazike, aksesin e ulët në strehim, përfshirjen e qëndrueshme në tregun formal të punës, diskriminimin.

Përtej rezultateve që raportohen për gjendjen e tyre, Ferdiola Tare, aktiviste për të drejtat e dy minoriteteve dhe drejtuese e Qendrës T’REJA është njohëse e mirë e situatës aktuale të tyre duke theksuar se konkluzionet e këtij seminari kanë shumë rëndësi për integrimin e dy pakicave.

“Pakicat Rome dhe Egjiptiane përballen me probleme të ndryshme. Sigurisht, krahasuar me vite më parë shoqëria është njohur me këto dy komunitete por edhe me termat që përdoren ndaj këtyre grupeve. Edhe në nivel politikash, patjetër që ka pësuar ndryshime edhe në nivel institucional, megjithatë është e rëndësishme të theksohet se kanë sfida e probleme nga më të ndryshme me të cilat pakicat përballen; qoftë këto në nivel vendor apo qëndror si edhe me përceprimet që shoqëria ka për këto pakica. Vlen për tu theksuar fakti që masat dhe konkluzionet nga seminari politik Shqipëri-BE, janë shumë të rëndësishme vecanërisht të mos mbeten të shkruara në letër por edhe të zbatohen e të monitorohen. Patjetër që do të ketë rezultat pozitiv nëse zbatimi i tyre bëhet sipas ndërthurjes së sektorëve bazuar në nevojat reale të identifikuara për këto dy pakica”, shpjegon aktivistja.  

Gjatë seminarit u diskutuan problematikat nga organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve dhe aktivistë në lidhje me planin e kaluar 4-vjeçar për integrimin e dy pakicave. Në seminar ishte prezente dhe Ministria Ogerta Manastirliu,  e cila në fjalën e saj pranoi dhe problemet me mungesën e strehimit për këto komunitete. Gjatë takimit u prezantuan masat e realizuara sipas planit të mëparshëm dhe sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ky plan është arritur deri në  masën 65% të zbatimit të masave të parashikuara.

Për të patur rezultate të prekshme me qëllim përmirësimin e jetës së anëtarëve të Romëve dhe Egjiptianëve, aktivistja Ola Tare thekson se është e rëndësishme një qasje ndër sektoriale në angazhimin e institucioneve. Një rol të rëndësishëm kanë gjithashtu përfshirja në vendimmarrje e aktorëve të cilët i njohin nga afër familjet e dy pakicave, që i njohin problemet dhe janë në gjendje të identifikojnë nevojat e të kuptojnë impaktin që kanë zbatimi i masave në jetën e tyre.

Një problem tjetër që zuri vend në diskutimin e seminarit ishte fenomeni i diskriminimit në shërbimet publike që hasin këta individë. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi  ka deklaruar gjatë një raporti në vitin 2021 se romët dhe egjiptianët janë të diskriminuar nga pushteti lokal. Raporti i fundit i DASH citoi të njëjtin rezultat për romët dhe egjiptianët.

Përveç masave të këtij seminari, Ministria e Shqndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashikon masa dhe aktivitete në planin kombëtar të veprimit duke i dhënë një rendësi të vecantë sektorit të Antigjipsizmit.

 

Më të lexuarat