Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukimi dhe Rehabilitim (Qendra EPER) në bashkëpunim me Shoqatën “Albania Romani Baxt for Development and Integration” (Tiranë); Shoqatën “Romano Sezi” (Elbasan); Shoqatën “Disutni Albania” (Korçë), me mbështetjen e financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC në kuadër të projektit “Fuqizimi i të Drejtave të Punës së Romëve dhe Egjiptianëve në Riciklimin e Mbetjeve” kanë hapur thirrjen për artikuj gazetarie në fushën “Punësimi i romëve dhe egjiptianëve në shërbimet bashkiake”. Qëllimi i këtij konkursi është nxitja e realizimit të artikujve informues dhe investigues, të cilët pritet të jenë të fokusuar në drejtim të shërbimeve publike në nivel vendor, veçanërisht në ato që përfshijnë kontributin e komunitetit rom dhe egjiptian, në Bashkinë Tiranë, Bashkinë Elbasan dhe Bashkinë Korçë.
Thirrja fton të gjithë gazetarët shqiptarë që në bashkëpunim me organizata që punojnë në fushën e mjedisit, zhvillimit komunitar, punësimit dhe të drejtave të njeriut, të realizojnë artikuj gazetarie në median e shkruar, të shtypur apo elektronike. Të gjithë artikujt e gazetarisë në këtë konkurs, do të publikohen edhe në rrjetet tona sociale.
Kushtet e përgjithshme:
- Të gjithë gazetarët nga Shqipëria, që janë të punësuar në mediat vendase, ftohen që të aplikojnë me një shkrim/artikull autorial, të botuar në mediat e shkruara (të shtypur apo elektronike).
- Shkrimet duhet t’i përkasin të drejtave të punësimit të komunitetit rom dhe egjiptian të njërës prej bashkive: Bashkisë Tiranë, Bashkisë Elbasan ose Bashkisë Korçë.
- Shkrimet duhet të jenë të botuara prej 17 Maj 2022 deri me 17 Qershor 2022.
Kriteret e përzgjedhjes:
- Tematika e artikujve duhet të lidhet me identifikimin dhe ekspozimin e situatës sociale, shëndetësore, ekonomike dhe mjedisore të komunitetit rom dhe atij egjiptian që jeton dhe punon me shërbimet publike të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Elbasan ose Bashkisë Korçë.
- Artikujt duhet të konsiderojnë zbatimin e nenin 20 të ligjit 15/2019, datë 13.03.2019 “PËR NXITJEN E PUNËSIMIT” nga ana e qeverisjes vendore.
- Aftësitë hulumtuese gjatë kryerjes së detyrës apo shkrimit të artikullit, si dhe ndikimi në shoqëri që do të ketë mesazhi i dhënë, po ashtu do të vlerësohen.
Shpërblimi:
Komisioni përzgjedhës i përbërë nga 3 anëtarë, gazetarë me përvojë dhe njohës të fushës, do të bëjnë vlerësimin e shkrimit / artikullit më të mirë, me një çmim prej 250 CHF për secilën prej 3 bashkive.
Si të dorëzohet aplikimi:
Formularin e aplikimit me shkrimet e botuara në median e shkruar duhet të dërgohen në
e-mailin info@epercenter.org, deri në datën 17 Qershor 2022.