Problematikat infrastrukturore, mungësa e rrugëve, kanalizimeve, trotuarëve, ndriçimit publik gjatë natës si dhe hapësirave publike për rekreacion janë panorama mëse të zakonta në pothuajse çdo lagje dhe zonë urbane apo rurale ku jetojnë komunitete rome dhe egjiptiane. Këtë pamje e gjen në çdo qytet të Shqipërisë me ndryshime të vogla nga njëra bashki në tjetrën, por e përbashkëta është se të gjitha këto komunitete ndihen të braktisura dhe bashkëjetojnë me harresën dhe braktisjen nga pushteti lokal dhe ai qendror që prej vendosjet së pluralizmit politik në vendin tonë.
Community Reporters Albania udhëtoi gjatë muajit shtator në qytetin e Beratit. Më veçanërisht ne u ndalëm në lagjen “Donika Kastrioti” ku takuam banorë nga minoriteti Rom dhe Egjiptian. Në këtë lagje sipas dokumentit politik “Plani i Zhvillimit të Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Bashkinë e Beratit” jetojnë rreth 500 familje prej me shumë se 70-80 vitesh, duke u vendosur aty kryesisht në vitet e para të instalimit të sistemit komunist shekullin e kaluar.
Bashkia Berat me mbështetjen e UNDP Albania miratoi këtë dokument politik i cili do të ndihmonte që këto dy minoritete të integroheshin. Sipas planit në këtë zonë do të kryheshin investime në lagjet dhe rrugicat ku ata jetojnë, do të jepej asistencë që banorët e këtyre komuniteteve të punësohen si dhe ndihmë në fusha të tjera për ta, si regjistrimi civil, arsimi dhe shëndetësia.
Ky dokument është i organizuar në katër kapituj kryesor. Në kapitullin e parë përshkruhet qasja metodologjike e procesit planifikues të këtij dokumenti, parimet e planit, modeli konceptual i procesit planifikues sipas fazave, instrumentet e përdorura, duke vënë theksin edhe te aktorët e përfshirë në këtë proces. Në kapitullin e dytë paraqitet situata aktuale e komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në Bashkinë e Beratit sipas gjashtë fushave prioritare të përmendura më sipër. Kapitulli i tretë paraqet deklaratën e Vizionit dhe qëllimet strategjike të planit, i cili vijon me kapitullin e matricës së planit të veprimit, që përfshin qëllimet strategjike, objektivat specifike, aktivitetet sipas fushave prioritare. Në kapitullin e fundit, rëndësi të vecantë i kushtohet monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të planit, pasi është tejet e nevojshme dhe e rëndësishme ndjekja e zbatimit të strategjisë për të vlerësuar rezultatet e pritura të objektivave strategjike.

Përveç raportimit të problematikave, një nga qëllimet e CRA është edhe llogaridhënia e transparenca e këtij plani si dhe investimet që janë kryer në vendbanimet e Romëve dhe Egjiptianëve. Duke u bazuar në ligjin për të drejtën e Informimit, Community Reporters Albania dërgoi një shkresë për informacion, ku i kërkoi Bashkisë Berat investimet që janë kryer në lagjen “Donika Kastrioti” sipas planit të miratuar nga Bashkia, në përgjigjen që Bashkia dha për Cra dha detajet specifike për çdo investim të bërë në çdo rrugë dhe lagje të parashikuar në plan.
Investimet e bëra sipas bashkisë Berat:
- a) Rrugë Betoni në Rr. Kostandin Berati gjatësi 700m2.
- b) Shesh me pllaka betoni në Rr. Kostandin Berati 150m2.
- c) Janë riparuar trotuarët në Rr. Kondas afër 40 m2.
- d) Është realizuar pastrimi i pusetave të zgarave pritëse në gjithë Lagjen.
- e) Është realizuar mirëmbajtja e rrjetit rrugor të ndriçimit të L. Donika Kastrioti.
Pas kësaj përgjigje, CRA vizitoi lagjen ku jetojnë banorët Rom dhe Egjiptian dhe identifikoi se asnjë nga investimet e sipërpërmendura nuk janë zbatuar në lagjen e tyre. Në prononcimin për CRA banorët thonë se këto investime janë realizuar aty ku nuk ka banorë Rom dhe Egjiptian.

“Kjo rruga këtu ka qëkur kam lindur unë 60 vjet, dhe nuk është kapur asnjëherë më dorë, përse nuk vijnë ta shtrojnë këta, por kur vijnë votat, këto janë të parët që kërkojnë vota.Kur bie shi këtu, ne përmbysemi se vjen komplet shiu brenda, nuk ka kanalizme fare, po bën shumë vite, nuk kemi ku ti hedhim se ska kanalizime, uji nuk ka ku shkon, rrin aty pellg përpara, lozin fëmijët bëhen tërë baltë dhe ujë, kur vijnë votat, ata janë të parë kur vijnë votat, po punë asgjë nuk bëjnë, I hedhin pak çakull aty përpara dhe thojnë u bë puna, vëtëm për vota vijnë se kshu për halle që kemi nuk vijnë” , kështu përfundon rrëfimin Teuta Cerriku, banore e lagjes “Donika Kastrioti’’ në Berat.
Teuta nuk është e vetmja nga banorët që kërkojnë investime në lagjen e tyre, por si ajo ka me qindra banorë të cilët kërkojnë rrugë dhe kanalizime në rrugicat e tyre.
Autoritetet vendore në Berat thanë për CRA se ata janë të angazhuar dhe vullnet plotë për t’i dhënë zgjidhje problematikave që ekzistojnë në këtë zonë dhe do të kryejnë investime të tjera për të përmirësuar situatën aktualë.
Planet vendore janë miratuar gjithashtu edhe në 6 bashki të tjera ku qëllimi është i njëjtë për të përmirësuar jetësën dhe integrimin e minoritetin Rom dhe atij Egjiptian, por dëri më tani, nga investigimet që ne kemi realizuar, rezultojnë së shumë prej investimeve nuk janë realizuar dhe fondet që janë përcaktuar për këto investime nuk dihen ku kanë përfunduar.
Nën shembullin e rasteve të tjera në bashki të ndryshme të vendit, edhe për këtë çështje Community Reporters Albania do të ndjekë këtë problematikë përmes shkresave, peticioneve, organizimin e komunitetet, duke u përpjekur që këto investime të kryhen sipas planit lokal që Bashkia Berat ka miratuar.